AKTIVITET TRAJNUES: “Marrja e provës, pajtueshmëria e gjykatës që disponon për marrjen e provës me gjykatën e themelit” - 11 mars 2026

Shkolla e Magjistraturës, më datë 11 mars 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë “Marrja e provës, pajtueshmëria e gjykatës që disponon për marrjen e provës me gjykatën e themelit, ankimi dhe efektet në gjykimin në themel”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Ardit Mustafaj, Albert Meça

Lehtësues: Ervin Sulaj

Qëllimi i këtij trajnimi është:Trajnimi synon forcimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëmarrësve për administrimin korrekt të provave dhe për garantimin e një procesi penal të drejtë dhe efektiv. Të analizojë kuadrin ligjor të marrjes dhe sigurimit të provave sipas Kodit të Procedurës Penale, duke sqaruar parimet, kushtet dhe procedurat që duhet të ndiqen për administrimin e tyre në mënyrë të rregullt ligjore. Të trajtojë kompetencën dhe rolin e gjykatës që vendos për marrjen e provës, si dhe marrëdhënien e saj me gjykatën që shqyrton çështjen në themel. Të shpjegojë procedurat e ankimit ndaj vendimeve për marrjen ose refuzimin e provës dhe mekanizmat proceduralë për kontrollin e tyre. Të analizojë efektet procedurale që kanë këto vendime në procesin e gjykimit në themel, përfshirë ndikimin në vlefshmërinë dhe përdorimin e provave gjatë shqyrtimit gjyqësor. Të identifikojë praktikat më të mira dhe problemet e praktikës gjyqësore, përmes analizës së rasteve konkrete dhe jurisprudencës, me qëllim forcimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Kuadri ligjor dhe natyra juridike e sigurimit të provës. Parimet procedurale të përfshira. Standardet e nenit 6 të KEDNJ;
  • Procedura e sigurimit të provës. Subjektet që legjitimohen për të kërkuar sigurimin e provës. Pajtueshmëria e gjykatës dhe parimi i paanshmërisë;
  • Ankimi ndaj vendimit për sigurimin e provës dhe standardi i kontrollit nga gjykata e ankimit. Efektet mbi gjykimin në themel;
  • Pikëpamje teorike dhe praktike, kuadri ligjor dhe natyra juridike e sigurimit të provës dhe parimet procedurale; procedura e sigurimit të provës, subjektet, parimi i paanshmërisë së gjykatës; çështjet që lidhen me ankimin ndaj vendimit për sigurimin e provës, kontrollin nga gjykata e ankimit dhe efektet sigurimit të provës mbi gjykimin në themel. 

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.